Një gjahtar u befasua shumë, kur gjeti një kamerë të humbur në Wyoming të ShBA-së, por u habit edhe më shumë, kur pa se kush ishte “autori” i një incizimi me atë mjet.
Dylan Schilt tha se kishte dalë për gjah me hark në male këtë muaj, kur gjeti një kamerë të tipit “GoPro”, e cila kishte rënë në tokë muaj më parë, shkruan Daily Mail.
Duket se gjahtari nuk ishte i pari që e kishte gjetur kamerën. Kur ia mbushi baterinë kamerës, gjahtari zbuloi se një ari kishte arritur që ta aktivizonte pajisjen dhe ta incizonte veten dhe një pjesë të peizazhit, ndonëse në fillim dukej se kishte menduar që është ushqim.
Në pamjet e “kameramanit” të pazakontë shihet një pjesë e peizazhit të bukur, por edhe goja e ariut, kur kafsha e afron pajisjen te goja, duke u munduar ta kafshojë atë.
Gjahtari i publikoi pamjet në Facebook. Videoja është shikuar më shumë se 400.000 herë që nga publikimi më 22 shtator dhe ka marrë mbi 1.400 komente.