Lajme

Pala më konstruktive për marrëveshjen e fundit, Lajçak: Duhen dy persona për të vallëzuar tango

12/01/2022 21:17
nga:Genita C

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak thotë se marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel, është shumë e rëndësishme, raporton GazetaBlic.

Lajçak thotë se nga muaji gusht, kanë harxhuar shumë kohë dhe shumë energji në mënyrë që të sigurohet qetësia në veri të Kosovës.

“Marrëveshja është shumë e rëndësishme, për dy arsye. E para, pesë muajt e fundit kemi punuar me afate, gjithmonë përballemi me një afat i cili rrezikon të ketë pasoja të rënda për stabilitetin dhe sigurinë në terren. Njëherë kishim afat 1 gushtin, më pas 1 shtatorin, 1 nëntorin dhe 21 nëntorin. Kështu që harxhuam shumë kohë dhe energji për t’u siguruar që të ruajmë qetësinë në terren, veçanërisht në Veri të Kosovës. Dhe sigurisht, ishte e pamundur të fokusoheshim në çështje të tjera, veçanërisht në çështjen më të rëndësishme e që është normalizimi i marrëdhënieve”, tha Lajçak.

Lajçak shton se tani është koha që Kosova dhe Serbia të fokusohen në marrëveshjen gjithëpërfshirëse, teksa shton se palët ranë dakord të mërkurën e kaluar se do të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm.

“Prandaj me marrëveshjen e 23 nëntorit nuk ka më afate dhe ne do të fokusohemi në planin e gjerë. Palët ranë dakord të mërkurën e kaluar se do të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe se urgjentisht do të fokusohemi në normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit që ia kam paraqitur kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në shtator me mbështetjen e fuqishme të përfaqësuesve të Gjermanisë dhe Francës. Prandaj kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme”, tha Lajçak.

Lajçak thotë se të dy palët ishin konstruktive për marrëveshjen e fundit.

“Duhen dy persona për të vallëzuar tango dhe duhen dy palë për të arritur një marrëveshje. Të dy bashkëbiseduesit, z.Bislimi dhe z.Petkoviq ishin konstrukti. Nëse vetëm njëra palë do të ishte konstruktive atëherë nuk do të kishte marrëveshje”, thotë Lajçak.

Lajçak përmend edhe takimin e Kurtit me Vuçiqin ku thotë se, ishim duke shkuar drejt një krize, derisa ndodhi takimi Bislimi-Petkovic.

“Do të thoja gjithashtu se ne kaluam rreth tetë orë këtu në Bruksel për të arritur marrëveshje. Dhe dy ditë më parë, të hënën, ishte një takim tjetër që zgjati poashtu 8 orë, i udhëhequr nga z.Borell. Unë isha prezent në takim, me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. Ai takim nuk prodhoi rezultate dhe dukej se ne po shkonim drejt një krize serioze. Dhe pastaj pala kosovare propozoi shtyrje për 48 orë. Dhe ne e dinim të mërkurën e kaluar se nëse nuk ka një marrëveshje, do të ndodhnin gjëra negative në terren Dhe fakti që ata kuptuan se kjo ishte shansa e fundit, bëri që palët të jenë serioze dhe të përkushtuara dhe më duhet ta përsëris, të dy palët ishin konstruktive përndryshe nuk do të kishte marrëveshje”, tha Lajçak në Politiko.