Lajme

Pal Lekaj: Vetëvendosje më nuk është prioritet i qytetarëve – do të shihet me 9 shkurt

11/10/2024 14:47
nga:G B

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti, për mos realizimin e premtimeve në fusha të ndryshme.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka përmendur premtimet për çerdhet, shtëpitë për të moshuar, banesat për çiftet e reja, inspektorët, e të tjera.

Sipas deputetit, qeveria do të mbahet mend për mos realizim të premtimeve të bëra.

“Unë mendoj që nëse e shohim punën e Qeverisë dhe e shohim implementimin e asaj që e ka premtuar, merri vetëm ato më të thjeshtat, 160 çerdhe nuk i ka realizuar, as 5 shtëpi të pleqve, as 4 mijë banesa për çifte të reja, nuk e ka siguruar numrin e madh të inspektorëve të punës që e ka premtuar, nuk i ka realizuar sigurimet shëndetësore, sigurimet për policët, e shumë e shumë gjëra tjera, në shëndetësi, infrastrukturë, në arsim, mirëqenie sociale dhe mund të them që kjo qeveri do të mbahet mend gjatë për mos realizimin e premtimeve, diku as 10-15 për qind”, ka vlerësuar Lekaj.

Deputeti është i bindur se Vetëvendosje do të ketë rënie në zgjedhjet e 9 shkurtit, derisa thotë se kjo parti më nuk është prioritet për qytetarët e Kosovës.

“Nuk mund të flas me shifra por mendoj që qytetarët kanë filluar të mendojnë ndryshe dhe mendoj që më Vetëvendosje nuk është prioritet i tyre, sepse ka ardhur për ta luftuar korrupsionin, janë korruptuar deri në vesh dhe mendoj që në këtë drejtim qytetari veç ka ndryshuar sa i përket votimit dhe do të shihet me 9 shkurt”, ka deklaruar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/