Lajme

Pal Lekaj padit për shpifje Hysen Durmishin: Ose rrudhne gojën, ose ju rrudhet xhepi

08/02/2021 12:56
nga:Genita C

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka dorëzuar padi për shpifje ndaj zv.ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pasi ky i fundit e quajti Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij si grup kriminal, raporton Gazeta Blic.

Lekaj thotë se njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje janë mësuar të vjellin vrerë me fyerje dhe shpifje ndaj tij.

Tutje, Lekaj thekson se tani e tutje: ose duhet ta rrudhin gojën ose do t’ju rrudhet xhepi.

Shkrimi i plotë:

Sot e dorëzova padinë kundër fyerjeve dhe shpifjeve të zëvendës ministrit të MMPHI, H.Durmishit, i cili në një emision televiziv më quajti mua dhe bashkëpunëtorët e mi gjatë mandatit tim si ministër, si një “grup kriminal”.

Janë mësuar tani e një kohë të gjatë të vjellin vrerë, me fyerje e shpifje të paskrupullta kundër meje, kudo që kanë pasur mundësi.

Bile me këto janë krekosur para popullit edhe si guximtar, duke u fshehur prapa imunitetit që ofron ligji kundër fyerjes dhe shpifjes për gjithë ato që fliten në Kuvend dhe në komisione parlamentare nga kushdoqoftë.

Duke e parë se mosreagimi im po e nxitë edhe më shumë shpifjen dhe fyerjen kundër meje, vendosa që t’i drejtohem gjykatës. Aty duhet të tregojnë fakte për vërtetësinë e deklaratave të tyre.

Tani e tutje, ose duhet ta rrudhin gojën ose do t’ju rrudhet xhepi.

Zgjedhja është e tyre!