Lajme

Pal Lekaj: Në vitin 2023 në Kosovë mbetën pa punë hiq më pak se 6 mijë punëtorë

04/07/2024 22:32
nga:G B

Opozita është shprehur e shqetësuar po shqetësohet për numrin e madh të bizneseve që janë mbyllur përgjatë vitit 2023.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka theksuar për emisionin “Expose” se me 2023 në Kosovë mbetën pa punë hiq më pak se 6 mijë punëtorë.

“Sa i përket mbylljes së bizneseve mund të them që është bukur shqetësuese për neve, duhet t jetë shqetësuese edhe për qeverinë, sepse kanë ardhur që të përkrahin ekonominë, bizneset familjare, ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, dhe deri më tani nuk ka pasur mbështetje dhe duke mos pasur mbështetje dhe lehtësira për të investuar dhe dihet që edhe paga në çfarë gjendje është, nëse marrim pagën mesatare 250 euro, atëherë si mund të edhe punëtorët edhe bizneset të qëndrojnë. Në vitin 2023 janë mbyllur 1600 biznese dhe nëse e marrim mesataren 5 të punësuar, dikur 6 mijë veta kanë mbetur pa punë. Kjo ndikon mjaft në zhvillimin ekonomik, në ndikimin e shportës familjare sepse nëse nuk ka të punësuar, së paku 1 në familje është shumë problem dhe në përgjithësi kemi ngecje në këtë lëmi, dhe mund të them që kjo qeveri do të mbahet mend për mos mbështetje të ekonomisë dhe bizneseve”, thotë ai.

Deputeti shprehet se kanë vërejtur presion ndaj bizneseve që janë funksionale, me ta tatime e inspektime politike dhe të seleksionuara, që thotë se kjo shkatërron dhe biznesin.

“Ne kemi vërejtur që pos asaj kanë bukur presion edhe ato që janë funksionale, edhe me tatime dhe gjithë inspektimet që i bëhen edhe politike, edhe seleksionuese, pra mund të them që e shkatërron edhe rrjetin biznesor, edhe ndikimin e zhvillimit tek bizneset dhe me një fjalë kjo qeveri ka dështuar në këtë drejtim dhe na ka sjellë në këtë gjendje që jo të hapen biznese të reja, por të mbyllen 1600 të tilla”, vlerëson Lekaj për ‘Expose’.

Deputeti i AAK-së ka ‘zbuluar’ faktorët që po qojnë në mbylljen e shumë bizneseve.

Ai ka kritikuar edhe qeverinë për dështim në këtë drejtim.

“Edhe liberalizimi ka ndikuar pak, por më shumë ka ndikuar paga e ulët sepse njerëzit duan një jetë më të mirë dhe ata dalin jashtë vendit për një pagë më të dinjitetshme. Derisa nuk ka një mjedis të zhvilluar dhe një siguri për të investuar dhe për të bërë biznes, atëherë vijmë edhe te kjo. Ky trend nuk është që ka rënë sa i përket mbylljes së bizneseve, por edhe sa i përket 3 mujorshit të parë të këtij viti mund të them lirshëm sepse jam konsultuar me biznese, i kemi parë çdo ditë që mbyllen biznese për mungesë të punëtorëve, mungesë të kushteve dhe askush nuk po e çan kokën për këta njerëz. Ne duhet që të kemi banka investive që jua lehtësojnë edhe kreditimin e sidomos të rinjve që mungon dhe të rinjtë që kryejnë fakultetin dhe nuk e kryejnë profesionin që e kanë, në mungesë të mbështetjes së qeverisë apo shtetit që ata edhe nëse kanë një kredi t’ua kompensojnë sikur çdokund në rajon dhe Evropë”, potencon deputeti.

Ai tregon dhe si duhet vepruar që të parandalohet trendi i mbylljes së bizneseve dhe që ato të ndihmohen.

“Kjo gjendje mund të ndryshojë që të kenë kredi më të ulëta, banka mbështetëse investive për të rinjtë sepse e dini moshën mesatare në Kosovë dhe t’ua lehtësojnë bërjen e biznesit dhe jo t’i pengojmë. Deri tani nuk kemi parë vullnet nga qeveria për t’i mbështetur, por mendoj që gjërat do të ndryshojnë me shkuarjen e kësaj qeverie dhe ne si AAK kemi alternativë sepse ne mendojmë që pa mbështetje sidomos ekonomisë familjare që është më pak e kushtueshme dhe mund të punësojë tepër më shumë punëtorë ne nuk do të kemi perspektivë apo zhvillim ekonomik dhe AAK e ka prioritet punësimin dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, që të rinjtë të mos mendojnë që ta lëshojnë vendin”, thekson deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/