Lajme

Pal Lekaj e konfirmon: Do të kandidoj për deputet në zgjedhjet e dhjetorit

11/26/2025 16:54
nga:Genita C

Pal Lekaj ka konfirmuar se do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e dhjetorit, si pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ai për GazetaBlic tha se ky vendim vjen si rezultat i përgjegjësisë ndaj qytetarëve dhe përkushtimit ndaj vizionit të AAK-së për zhvillim ekonomik, forcim të shtetit dhe mbrojtje të interesit publik.

“Po, do të kandidoj për deputet në zgjedhjet e dhjetorit si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ky vendim është rezultat i përgjegjësisë dhe përkushtimit tim ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj vizionit që AAK ka për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesit publik. Kosova ka nevojë për një politikë të guximshme, përfaqësim dinjitoz dhe vendimmarrës që i shërbejnë qytetarit, e jo interesave të ngushta politike”, tha Lekaj.

Lekaj theksoi se Kosova ka nevojë për politikë të guximshme dhe përfaqësim dinjitoz, ndërsa kandidatura e tij synon të kontribuojë në rikthimin e stabilitetit dhe besimit në institucione.

Ai shtoi se AAK ka dëshmuar se di të qeverisë dhe të ndërtojë projekte në interes të qytetarëve, dhe se do të jetë pjesë e këtij vizioni.

“Kandidatura ime vjen me një qëllim të qartë: të kontribuoj në rikthimin e stabilitetit, të besimit në institucione dhe të orientimit të duhur të vendit tonë drejt zhvillimit. Aleanca gjithmonë ka dëshmuar se di të qeverisë, të punojë dhe të ndërtojë projekte konkrete në dobi të qytetarëve,dhe unë do të jem pjesë e këtij vizioni”, tha Lekaj për GazetaBlic.