Lajme

Pal Lekaj: AAK nuk i frikësohet zgjedhjeve, jemi pro tyre pasi të dorëhiqet Qeveria

05/30/2024 13:29
nga:G B

LDK dhe AAK po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve.

Pasi ata nuk po përkrahin shpërndarjen e Kuvendit siç po kërkon PDK-ja, dy partitë opozitare AAK e LDK po kritikohen sikur po kanë frikë nga zgjedhjet.

Lidhur me këtë, deputeti Pal Lekaj, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se AAK s’ka frikë nga zgjedhjet.

“AAK nuk frikësohet nga zgjedhjet sepse tani e sa kohë secili deputet, çdonjëri nga figurat e partisë dhe duke përfshirë kryetarët e komunave dhe strukturat e partisë, jemi afër qytetarëve në çdo cep të Kosovës. AAK ka qenë në qeverisje dhe secili qytetar i Kosovës e ka parë dhe e ka prekur punën faktike të qeverisë Haradinaj. AAK për dy vite në pushtet ka bërë vendime e projekte që do të mbesin për dekada e shekuj në shtetin tonë. Tani si Opozitë për afro 4 vite kemi qenë Grupi Parlamentar më aktivi në mbrojtje të interesave publike të qytetarëve dhe institucioneve të vendi. Këtu përfshijmë temat aktuale të shëndetësisë, punësimit, pagave, sigurime shëndetësore, sektorin privat, dialogut me Serbinë, ikjen e qytetarëve nga vendit, etj.”, thekson ai.

Deputeti përmend këto argumente që thotë se janë arsye pse qytetarët po i mbështesin dhe kanë siguri të shkojnë në zgjedhje në çdo kohë, por që vetëm kur Qeveria të japë dorëheqje.

“Këto argumente janë arsyeja pse qytetarët në teren po na mbështesin në vazhdimësi dhe ne kemi sigurinë që të shkojmë në zgjedhje në çdo kohë, por vetëm kur Qeveria Kurti të japë dorëheqje nga pranimi që ka dështuar në Qeverisje dhe menaxhim të duhur të Kosovës”, deklaron deputeti Pal Lekaj./Gazeta Blic/