Pak para protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami kanë takuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Sipas njoftimit të qeverisë, në takim është biseduar edhe për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Në njoftim thuhet se institucionet në Shkup po punojnë për të gjetur një zgjidhje lidhur me kërkesat e studentëve shqiptarë.
“U theksua se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të mençur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që sjellin përparim, besim të ndërsjellë dhe ecje të përbashkët drejt së ardhmes. Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dijet përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht për gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, me qëllim të sigurimit të sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ndryshe, sot nga ora 16:30, studentët shqiptarë do të protestojnë për herë të dytë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Kësaj proteste i kanë dhënë mbështetje të madhe përfaqësues politikë nga Kosova dhe Shqipëria, derisa ka munguar një qëndrim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.


