Lajme

Pak orë para takimit me Vuçiq, Kurti kërkon që autorët e masakrës së Studimes të dënohen

1 vitë më parë
nga:N M

Në 24 vjetorin e masakrës së Studimes në Vushtrri, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar dënimin e autorëve që kryen këtë masakër raporton Gazeta Blic.

Kurti këtë thirrje e ka bërë nga Brukseli ku pak orë më vonë do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, e ku njëra nga pikat e takimit të sotëm është edhe për fatin e të pagjeturve.

“I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisё dhe dëbuan me dhunë banorët . I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё.
Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç.
Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë.
E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.
I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!