Lajme

“Pak më shumë se një vit”, deri kur Kosova do t’i ketë plumbat e saj

12/26/2024 08:43
nga:G B

Ditë më parë Kosova ka nënshkruar kontratë me firmën turke “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) për ngritjen e fabrikës së parë të municionit.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë për emisionin MAT në Klan Kosova se nuk do të shkojë gjatë dhe vendi do t’i ketë plumbat e vet.

“Vlerësoj që bazuar në marrëveshjen, në afatet kohore që janë vendosur aty, nuk do të kalojë dyvitëshin. Do të jetë pak më shumë se një vit”, është shprehur Maqedonci.

Për Anton Qunin që ka qenë ministër mbrojtjeje në qeverinë Kurti 1, vendimi për fabrikën e municionit ka qenë i domosdoshëm, por i vonuar goxha.

“Po të kishte qenë e sinqertë kjo iniciativë e qeverisë, kjo do të ndodhte që në fillim të mandatit. Do të thotë nuk po flasim diçka që është e pazbuluar deri më sot, nuk flasim për diçka që është e pakapshme dhe e parealizueshme dhe sot do të duhej të pritej shiriti në veçanti në këto rrethana në të cilat ne jetojmë”, është shprehur Quni.

Por, pasardhësi i tij, Maqedonci, nuk pajtohet me këtë deklaratë, teksa akuzon qeveritë e mëhershme që nuk e kishin prioritet forcimin e ushtrisë.