Lajme

Pak interesim për vaksinim nga komunitetet joshumicë

09/18/2021 07:43
nga:M K

Qeveria e Kosovës synon që të arrijë të vaksinojë 60% të popullatës kundër COVID-19, duke përfshirë këtu edhe komunitetet joshumicë.

Numri i qytetarëve që po vaksinohen është rritur.

Mirëpo, kjo nuk po ndodh edhe me komunitetet joshumicë.

E gjithë kjo, sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka ndodhur për shkak të mosinteresimit, kryesisht nga komunat me shumicë serbe.

“Kjo ka bërë që me rastin e fillimit të vaksinimit në mase kundër COVID-19 në Kosovë, në veçanti me rastin e fillimit të implementimit të Planit të Veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë kundër COVID-19, më 15 qershor 2021, ne komunat me shumicë serbe të mos shprehet interesim për ngritje të ekipeve të vaksinimit sipas këtij plani dhe vaksinave në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Front Online.

Por nga ky dikaster thonë se komunave që kanë treguar interesim u janë përgjigjur pozitivisht.

“Në këtë qëllim, është trajnuar personeli mjekësor i Graçanicës për të administruar vaksina për qytetarët e interesuar, sikurse edhe ekipet në komunën e Shtërpcës, ku janë ngrit 2 ekipe të cilat vaksinimin e qytetarëve e kanë bërë në qendrën e vaksinimit në Drejkoc.

Në njësinë e vaksinimit të Komunës së Shtërpcës (Drejkoc) janë administruar mbi 2000 vaksina. Në njësinë e vaksinimit të Komunës së Graçanicës janë administruar rreth 800 vaksina”, thonë në një përgjigje nga MSH.

Mbi 1000 qytetarë të komunitetit RAE u vaksinuan kundër Covidit

Ndërsa vaksinimi i komunitetit Romë, Ashkali dhe Egjiptian bëhet kryesisht përmes ekipeve mobile.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë deri tani janë vaksinuar mbi 1000 pjesëtarë, ndërsa që kanë planifikuar termine për vaksinim janë 1190.

“Sa u përket komuniteteve si Rom Ashkali e Egjiptian, përmes ekipeve mobile deri tash janë vaksinuar mbi 1000 pjesëtarë të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, ndërsa të planifikuar për vaksinim sipas termineve të caktuara, janë edhe 1190. Por, procesi do të vazhdojë edhe me grupe të tjera. Vaksinimi i komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian behet kryesisht përmes ekipeve mobile”, thuhet tutje në përgjigje.

Ministria e Shëndetësisë raportoi të enjten edhe për 1,382 persona të shëruar nga Coronavirusi.

Aktualisht, raste aktive mbeten 13,473.

Në Kosovë janë dhënë gjithsej mbi 1.1 milion vaksina kundër Coronavirusit, ndërsa mbi 399,000 qytetarë janë vaksinuar plotësisht.