Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka vendosur të mos aplikojë për pozitën e emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pozitë kjo që kishte synuar tash e disa kohë.
Agjencia e lajmeve “STA” ka raportuar se ai ka dhënë disa arsye për këtë vendim, mes tjerash, edhe pikëpamje të ndryshme rreth zgjerimit që nuk janë të njëjtat me politikën zyrtare të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, më pas në një shkrim në rrjetin social “X”, Pahor tha se ka mësuar nga biseda joformale se një diplomat po kërkohet për këtë pozitë, e jo një politikan.
“Nëpërmjet bisedave të panumërta joformale, përfundimisht mu bë e qartë se ata po kërkonin një diplomat, jo një politikan, si një të dërguar special. Ky është sigurisht një vendim legjitim, por vazhdon një politikë e dialogut teknik, e cila nuk është dëshmuar shumë mirë”.
“Për mendimin tim, për shkak të situatës shumë të ndryshuar, ka ardhur koha për një politikan në këtë post dhe për ndërhyrje politike, natyrisht nën udhëzimet e Përfaqësueses së Lartë. Frika se mund të jem arbitrar për shkak të posteve të mia të larta politike në të kaluarën është e pabazë”.
POJASNILO glede razpisa Visoke predstavnice EU za zunanjo in varnostno politiko za odposlanca za Dialog Beograd Priština in druga regionalna vprašanja: pic.twitter.com/3KNGdpCrtD
— Borut Pahor (@BorutPahor) January 3, 2025
Mes tjerash, si arsye ai ka përmendur edhe mandatin vetëm një vjeçar, derisa shtoi se pikëpamjet e tij janë ndryshe me ato të BE-së sa i përket zgjerimit.
“Në bisedat joformale, ishte e qartë se pikëpamjet e mia personale për zgjerimin devijonin nga politika zyrtare e BE-së. Kjo nuk duhet të jetë pengesë për një profesionist në pozicionin e të dërguarit special, pasi ai është i detyruar nga udhëzimet. Megjithatë, arrita të konstatoj se nuk ka asnjë mirëkuptim për këndvështrimin tim, që, natyrisht, edhe në bazë të kushteve të përmbushura të ndonjë prej 6 vendeve, ata do të pranonin vendet në paketë. Unë e kuptoj se avokimi për pranimin e hershëm të Malit të Zi dhe ndoshta të Shqipërisë është joshëse për shumë arsye. Por nga pikëpamja e stabilitetit gjeopolitik të rajonit dhe e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një qasje e tillë mund të jetë më shumë pengesë sesa nxitje”.
Vlen të theksohet se përgjatë vitit të kaluar, Pahor kishte shprehur publikisht interesimin për të marrë pozitën si ndërmjetësuar në dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka qenë kryeministër i Sllovenisë, e më pas edhe president.
Ndërkohë, në fund të këtij muaji, diplomati sllovar, Miroslav Lajçak përfundon mandatin e tij si emisar në dialogun mes Kosovës e Serbisë.