Lajme

“Pagesat e tabelave nga shqiptarët e Luginës do të kthehen donacion për ta”

09/22/2021 17:48
nga:M K

Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ka njoftuar se të gjitha mjetet që do të mblidhen nga pagesat e tabelave shqiptare nga Lugina e Preshevës, do të kthehen donacion për Luginën.

Kërçeli lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“Të gjitha mjetet të cilat mblidhen nga pagesat e tabelave nga familjet shqiptare nga Lugina e Preshevës, do kthehen donacion për Luginën”, ka shkruar ai.

Ndryshe, përfaqësuesit e shqiptarëve në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që ndodhen në jug të Serbisë, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që këto komuna të përjashtohen nga vendimi për reciprocitet të targave të automjeteve.

Po ashtu, sot gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se janë duke shqyrtuar mundësinë e kompensimit për qytetarët e Luginës

“Jemi të vetëdijshëm që shumë qytetarë të Luginës do t’iu duhet të paguajnë na vjen keq për këtë gjë, jemi duke shqyrtuar një mundësi që çfarë mekanizimi shtetëror të gjejmë që të kompensohen sado pak ta korrigjojmë këtë kosto që e kanë”, ka thënë Kurti sot në konferencën e mbajtur për media.

Ndryshe, të hënën Qeveria vendosi masën e reciprocitetit për targa për Serbinë, bazuar në marrëveshjen e arritur mes dy shteteve gjatë vitit 2016.