Nënkryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Leonora Bakija, në një intervistë dhënë për GazetaBlic tregon statistikat e ikjes së infermierëve për këtë vit dhe shkaqet e ikjes së tyre nga vendi.
“Këtë vit, nga janari deri më sot janë 217 infermierë që kanë marrur licensa të paklasifikuara dhe 91 vërtetime të Kodit Etik. Janë këto dy dokumente të cilat nevojiten për infermierë që dëshirojnë të dalin jashtë vendit. Ndërsa, vitin e kaluar, nga janari deri në dhjetor të vitit 2023 gjithsej kanë qenë 713 licensa të paklasifikuara dhe 106 vërtetime të Kodit Etik”, tha ajo.
Sa i përket shkaqeve të ikjes së infermierëve nga Kosova, Bakija thekson se arsyet kryesore janë pagat jo të dinjitetshme dhe mungesa e sigurisë në punë.
“Shkaqet që ndikojnë në ikjen e infermierëve jashtë vendit janë kryesisht kushtet e punës, pagat jo të dinjitetshme, mungesa e sigurisë në punë dhe mbrojtja nga institucionet”, potencon ajo.
Krahas kësaj, Bakija thotë se ka kërkesa të vazhdueshme për infermieri dhe për këtë ka një aryse.
“Kërkesa për t’u bërë infermierë janë të vazhdueshme dhe nuk ka ulje, sepse infermierët apo studentët që shkojnë në infermieri gjithmonë e mendojnë që nëse nuk gjejnë punë në vendin e tyre, do të dalin jashtë”, tha Bakija.
Bakija thotë se infermierët nuk janë të kënaqur as me ligjin e ri të pagave.
“Infermierët janë të kategorizuar jo mirë në ligjin e ri të pagave, të cilë kanë ankesa të vazhdueshme. Gjithashtu, kujdestarit nuk paguhen siç duhet, festat nuk paguhen, rrezikshmëria e puna në terren, janë këto ankesa të vazhueshme që kanë infermierët”, thotë tutje ajo.
Në fund, Bakija ka bërë apel që të mos braktiset vendi.
“Unë kisha bërë apel që secili të rrijë në vendin e vet, sepse kur punojmë për vendin tonë edhe të mirat vijnë”, përfundoi Leonora Bakija. /GazetaBlic/