Qeveria e Kosovës ditë më parë ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhetin e Kosovës. Ky projektligj parasheh që pjesa kryesore e mjeteve të shkojë në kontingjencën e pagave, për të mbuluar pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe shtesën e përvojes.
Analisti dhe njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxhiri thotë se kjo duhet të shihet edhe nga këndvështrimi i qëndrueshmërisë së financave publike.
Në një prononcimi për Gazeta Blic, Muhaxhiri tha se, përtej përfitimit të menjëhershëm për punëtorët, Qeveria duhet të sqarojë nëse një masë e tillë mund të përballohet edhe në vitet e ardhshme dhe nga cilat burime do të financohet.
“Vendimi për rialokimin e 102 milionë eurove për pagën e 13-të duhet parë përtej efektit të menjëhershëm që ka te punëtorët. Natyrisht, çdo punëtor e mirëpret një të ardhur shtesë, por pyetja kryesore është: a është kjo një politikë e qëndrueshme fiskale apo një vendim i marrë për efekt të momentit? Nëse paga e 13-të bëhet praktikë e përvitshme, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një shpenzim të jashtëzakonshëm, por me një obligim të përhershëm të buxhetit. Kjo do të thotë se Qeveria duhet të tregojë qartë nga do të sigurohen këto mjete çdo vit dhe çfarë do të sakrifikohet për t’i financuar”, ka thënë Muhaxhiri.
Një tjetër shqetësim që ngre Muhaxhiri lidhet me dallimin që, sipas tij, kjo masë mund ta krijojë ndërmjet punëtorëve të sektorit publik dhe atij privat.
“Kritika tjetër është se kjo masë e thellon diferencën ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Punëtorët e sektorit privat janë ata që paguajnë tatime dhe kontribute dhe financojnë një pjesë të madhe të buxhetit, ndërsa në këtë rast përfitojnë vetëm punëtorët publikë. Nëse kjo bëhet rregullisht, Qeveria po krijon një avantazh të ri për sektorin publik, në vend që të krijojë politika që e ndihmojnë edhe punëtorin privat dhe biznesin që e mban ekonominë gjallë. Pra, nuk është problem që punëtori publik të marrë pagën e 13-të; problemi është që Qeveria nuk po tregon një politikë të barabartë dhe afatgjatë për tregun e punës”, ka deklaruar ai.
Muhaxhiri është ndalur edhe te momenti politik në të cilin është marrë vendimi, duke thënë se rrethanat aktuale mund të ndikojnë në perceptimin e qytetarëve për masën.
“Sa i përket aspektit politik, është e pamohueshme që vendimi vjen në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm. Nëse vendi ndodhet përballë mundësisë së zgjedhjeve të reja për shkak të pamundësisë për zgjedhjen e presidentit, një pagesë e tillë për një numër të madh qytetarësh natyrshëm krijon edhe perceptim politik. Nuk mund të themi pa prova se qëllimi është elektoral, por Qeveria duhet ta kuptojë se kur një vendim me kosto të madhe buxhetore merret në një periudhë të tillë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë të plotë për arsyet, burimin e mjeteve dhe qëndrueshmërinë e tij”, ka thënë Muhaxhiri.
Në përfundim, analisti thekson se debati nuk duhet të kufizohet vetëm te përfitimi që punëtorët do ta marrin tani, por edhe te pasojat që një politikë e tillë mund të ketë në buxhet në afat më të gjatë.
“Në fund, unë do ta shikoja këtë çështje jo vetëm nga këndvështrimi i asaj se sa euro merr një punëtor sot, por sa e qëndrueshme është kjo politikë nesër. Qeveria nuk mund të ndërtojë politika publike vetëm mbi logjikën e ‘jep sot dhe mendojmë nesër’. Buxheti është i qytetarëve dhe çdo 102 milionë euro duhet të ketë një arsyetim ekonomik, jo vetëm një efekt politik”, ka përfunduar ai./Gazeta Blic


