Lajme

Padrejtësia e BE-së për Kosovën, pozitë e opozitë kërkojnë heqjen e vizave – mesazh Lajçakut për dialogun

06/28/2022 14:51
nga:G B

Kosova nuk mori as këtë herë një vendim nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, pavarësisht pritjes dhe shpresave.

Kosovarët vazhdojnë të jenë i vetmi popull i izoluar në lëvizje në zonën Shengen.

Tani në Kosovë po qëndron përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk.

Brukseli është kritikuar disa herë për procesin e dialogut, përpos për liberalizimin e vizave.

Në këtë mënyrë po humb besimi në BE se mund ta çojë përpara dialogun e se do t’i heq vizat për Kosovën në të ardhmen.

Deputetja e LDK-së, njëherësh kryetare e Komisionit për Integrime, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Gazeta Blic se pavarësisht pritje optimiste për vizat, BE pa një arsyetim nuk vendosi as këtë herë për heqjen e vizave.

“Për sa i përket liberalizimit, kishim qëndrime të shumta optimiste nga zyrtarët e BE-së se mund të ketë lëvizje pozitive në Samitin e Berlinit, i cili u mbajt javën e kaluar por, pa një arsyetim as kësaj radhe nuk u vendos për heqjen e regjimit të vizave. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga BE për lëvizje të lirë dhe kjo sa më parë që të ndodhë është më mirë, sepse është një padrejtësi e madhe kjo që po ju bëhet qytetarëve tanë”, thotë Krasniqi.

Ndërsa, sa i përket dialogut, deputetja vlerëson se ai duhet të vazhdojë në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik dhe të mos ndërlidhet me vizat.

“Tani çështja e dialogut nuk duhet të ndërlidhet assesi me liberalizimin e vizave, sepse aty temë diskutimi janë çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve dhe dialogu duhet të vazhdojë në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik”, deklaron Rrezarta Krasniqi për Gazeta Blic.

Ndërsa, deputeti i VV-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Integrime, Agon Batusha, vlerëson se Kosova e ka ripozicionuar veten në dialog dhe treguar qartë pozicionin e saj.

“Vizita e ndërmjetësuesit të BE-së në Kosovë është e mirëseardhur dhe është në kuadër të procesit të dialogut. Kosova ka ripozicionuar veten në dialog, duke treguar qartë pozicionin e saj dhe duke mos lejuar cenimin e integritetit territorial, kushtetushmërinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thotë deputeti për Gazeta Blic.

Sa i përket vizave, ai shton se ato nuk duhet të jenë pjesë e dialogut në asnjë formë dhe se pavarësisht zhgënjimit për mosliberalizim, nuk duhet humbur shpresat dhe duhet pritur që shumë shpejt vendet e BE-së të reflektojnë për këtë çështje.

“Procesi i liberalizimit të vizave nuk ka qenë, nuk është dhe assesi nuk do të jetë pjesë në çfarëdo forme në kuadër të dialogut. Zhgënjimi është evident, por besimi në vlerat evropiane assesi nuk na ka humbur. Përkundrazi, ka pasur shenja shumë të mira nga samiti i fundit dhe shpresojmë që shumë shpejtë vendet e BE-së do të reflektojnë karshi kafazit në të cilin i kanë lënë padrejtësisht dhe paarsyeshmërisht qytetarët e Kosovës”, thekson ai.

Ndërsa, për mandatin e Lajçakut, Batusha potencon se atë e vendos BE-ja.

“Z. Lajçak është vendosur nga BE-ja në atë pozitë dhe në këtë detyrë, andaj vetë organet e BE-së duhet të vlerësojnë punën e tij, rrjedhimisht a duhet apo nuk duhet të vazhdojë si ndërmjetësues i dialogut. Për ne, e rëndësishme është që dialogu të jetë bazuar në vlerat e parimet demokratike e evropiane dhe që në qendër të dialogut të jetë njohja reciproke ndërmjet dy vendeve”, deklaron Agon Batusha për Gazeta Blic.

E deputetja e AAK-së, po ashtu anëtare e Komisionit për Integrime, Time Kadrijaj, thotë për Gazeta Blic se BE vazhdon ta injorojë Kosovën për vizat, pavarësisht përmbushjes së kritereve.

“Qasja e BE-së ndaj Kosovës dhe injorimi i vazhdueshëm ndaj kërkesës legjitime të qytetarëve tanë për liberalizim vizash është për t’u shqetësuar. Kushtet për këtë proces ka vite që janë përmbushur nga vendi ynë, madje Komisioni Evropian edhe vite më parë pati propozuar heqjen e regjimit të vizave, duke konfirmuar që Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit të vizave”, vlerëson ajo.

Lidhur me dialogun, deputetja për Gazeta Blic thekson se është e domosdoshme që SHBA-të të kenë rol strategjik në të, derisa shton se qeveria deri tani ka dështuar në dialog, duke e zhvendosur nga dialog politik në atë teknik.

“Sa i përket dialogut, qëndrimi jonë si AAK vazhdon të jetë i njëjtë. Është i domosdoshëm në këtë proces roli strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne mbështesim një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve. Fatkeqësisht, po shohim se Qeveria e Kosovës në dialog deri më tani ka dështuar, duke e zhvendosur nivelin nga një dialog politik i cili shpie në njohjen e ndërsjellë, në dialog teknik i cili nuk ka kurrfarë afati kohor se kur pritet të përfundojë”, deklaron Time Kadrijaj./Gazeta Blic/