Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se përgatitjet për padinë për gjenocid janë të thella dhe komplekse, për çka theksoi se nuk mund të jap detaje. Ai tha se Serbia nuk pranon krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë ai u deklarua pas pranimit të raportit njëvjeçar të punës nga drejtori i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.
Pas vizitës dhe takimit Kurti tha se janë mbi 60 burime prej nga është grumbulluar informacioni.
“Me këtë rast pash se si po ruhen materialet, planet për digjitalizimin e këtyre materialeve dhe dokumenteve. Ku gjithsej nëse do i rendisim si folldera në këmbë do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo e thënë ndryshe 15.8 terrabajt informacion është grumbulluar gjatë këtyre nëntë muajve ku bëjnë pjesë video-xhirime, audio-xhirime, fotografi e gjithashtu tekste të ndryshme në një gjatësi prej 189 metra të këtyre folderëve po të renditeshin në këmbë e të cilët mbahen të sigurt këtu. Janë 67 burime gjithsej prej nga është grumbulluar materiali dhe dokumentacioni. Këtu bëjnë pjesë ministritë, bëjnë pjesë komunat, organizatat jo-qeveritare, aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarë por edhe koleksionistë të ndryshëm të cilët kanë dorëzuar materialet e tyre në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Është punë jetike dhe vendimtare si për historinë tonë ashtu edhe për drejtësinë për neve”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit para gazetarëve theksoi se instituti paraqet adresë të rëndësishme për drejtësinë vendore.
Ai nuk dha detaje sa i përket padisë për gjenocid, veçse tha se këto përgatitje janë komplekse dhe se po zhvillohen jashtë syve të opinionit publik.
“Ne po e vazhdojmë punën tonë, përgatitjet tona që janë të thella, komplekse dhe për të cilat në kuptimin konkret të përmbajtjes së tyre nuk mund të flas. Meqenëse këto përgatitje zhvillohen në konfidencialitet sepse kemi të bëjmë natyrisht me një shtet agresor i cili është armiqësor ndaj nesh dhe nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, përkundrazi i quan ato fabrikime. Duke pasur parasysh kontekstin rajonal, fqinjin tonë armiqësor këto përgatitje jemi të detyruar që t’i zhvillojmë jashtë syve të opinionit publik”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, sipas Atdhe Hetemit, gjatë këtyre muajve është shënuar progres në grumbullimin e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Tashmë Kosova e ka një institut i cili do të shërbejë si pikë grumbullimi i të gjitha materialeve që dokumenton krimet e kryera në Kosovë, gjë që ka munguar. Ne kemi shënuar një progres modest do të thosha, kjo ka ardhur si rezultat i angazhimit tonë edhe si rezultat i mbështetjes së vazhdueshme që e kemi pasur nga qeveria, ministritë e linjës, komunat e Republikës së Kosovës, organizatat jo-qeveritare, gazetarët dhe mediat dhe të gjithë të tjerët”, tha Hetemi.
Kryeministri Albin Kurti vizitoi Institutin për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci./kp