Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj akuzave të fundit që i janë drejtuar publikisht, duke u quajtur “njeri i vitrave” dhe “mashtrues i të varfërve”, raporton GazetaBlic.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, ai ka cilësuar këto akuza si të padrejta dhe të pahijshme, duke i kritikuar ata që, sipas tij, janë “arrogantë”, “pa skrupuj” dhe “të pashpirt”.
Pacolli ka theksuar se këto sulme vijnë nga njerëz që, për shkak të frustimeve dhe dështimeve të tyre, nuk mund të durojnë as aktet humanitare të të tjerëve. Ai ka shtuar se këta individë janë “të dëmshëm” dhe përpiqen të fshehin gabimet e tyre duke shpifur dhe akuzuar pa të drejtë.
Për të sqaruar situatën, Pacolli ka renditur kontributet e tij për zhvillimin e Kosovës, duke shpjeguar se që nga viti 2006 ka investuar mbi 43 milionë euro nga fondet e tij personale për ndihmën e infrastrukturës, ndërtimin e rrugëve, shtëpive për të varfrit, shkollave dhe objekteve administrative. Ai ka theksuar se, përkundër akuzave, ka investuar për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe ka kontribuar në projekte që kanë ndihmuar qytetarët e Kosovës, përfshirë studentët, nxënësit, të sëmurët dhe familjet e varfra.
Pacolli ka mbyllur postimin me një thirrje për ata që e akuzojnë: “Nuk besoj se këta njerëz mund të tregojnë se gjatë gjithë jetës së tyre kanë kontribuar me edhe 100 euro nga burimet e tyre personale.”