Lajme

Pacolli për Aeroportin e Vlorës: Koha e emocioneve ka kaluar, do t’i drejtohemi arbitrazhit!

08/06/2026 19:28
nga:Y I

Biznesmeni, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me situatën rreth projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se kompania e tij ka kërkuar për muaj me radhë qasje në kantier për përfundimin e punimeve, por sipas tij kjo është penguar nga institucionet shqiptare.

Pacolli ka thënë se tashmë “koha e emocioneve ka kaluar” dhe se çështja do të trajtohet përmes fakteve, dokumenteve dhe procedurave ligjore.

“Që nga muaji mars, i jemi drejtuar çdo ditë institucioneve shtetërore, si palë kontraktuese, duke kërkuar që të përmbushin detyrimet e tyre kontraktore, të krijojnë kushtet e nevojshme dhe të mundësojnë qasjen tonë në kantier, në mënyrë që të përfundonim edhe punimet e mbetura dhe ta vinim aeroportin në operim”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar edhe nga organet e drejtësisë zhvillimin e hetimeve të plota dhe të pavarura për të identifikuar, siç është shprehur ai, personat përgjegjës për krijimin e kësaj situate.

“Kemi kërkuar çdo mundësi për të evituar një Arbitrazh që do të jetë shumë i rëndë për palët”, ka shkruar Pacolli.

Sipas tij, kontrata e koncesionit për Aeroportin e Vlorës është lidhur në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare, me qëllim ndërtimin, përfundimin dhe operimin e aeroportit.

“Për fat të keq, kjo kontratë nuk u lejua të arrinte fazën e operimit dhe, rrjedhimisht, të realizonte objektivin për të cilin ishte lidhur. Për këtë arsye, të drejtat që burojnë prej saj do të kërkojnë mbrojtje përmes mekanizmave ligjorë dhe gjyqësorë”

“Jam i bindur se në një proces të rregullt ligjor, kombëtar ose ndërkombëtar, faktet, dokumentet dhe provat do të flasin vetë. Tani është rruga e vetme për të mbrojtur të drejtat tona për të sqaruar plotësisht atë që ka ndodhur me këtë investim” ka përfunduar shkrimin Pacolli.

Reagimi i plotë: