Lajme

Pacolli komenton bisedat e Mihailit me Krasniqin dhe ato të Kusari Lilës me Simiqin

10/16/2024 13:53
nga:G B

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kurti ka pasur premtime të mëdha por që ka vepruar ndryshe.

“Premtimet e z.Kurti ishin të mëdha, pa nepotizëm, pa punësime familjare, partiake, dhe doli krejtësisht ndryshe. Nuk ka çka të kërkojë Qeveria, ose më mirë me thënë politika e lartë në veprimtaritë ekonomike, përderisa interesohet, ka diçka të keqe dhe nuk është dashur të ndodhë”, u shpreh ai për Gazeta Blic.

Deputeti foli dhe për bisedat e shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiq, për të cilat tha se ndoshta është bërë nguti dhe ka pasur ndonjë arsye të madhe për të biseduar me të.

“Sinqerisht unë nuk di tamam në çfarë kushtesh, cilat kanë qenë arsyet e kësaj bisede, kështu që nuk dua të bëj gabim diçka por sidoqoftë nëse ajo ka biseduar me të, ka pasur një arsye të madhe. Ndoshta është bërë nguti dhe atë që ka dashur ta arrijë, ka mundur ta arrijë ndryshe. Këtë ju them”, vlerësoi Pacolli.

Ndërsa, sa i përket bisedave të Dejona Mihailit dhe kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ai tha se ajo nuk është dashur të ndikojë në veprimtari ekonomike.

“Dejona Mihaili nuk është dashur asnjëherë që të ndikojë në veprimtaritë ekonomike e aq më tepër në një ndërmarrje publike”, deklaroi Behgjet Pacolli./Gazeta Blic/