Lajme

Pacolli fiton padinë ndaj Faton Pecit për shpifje e fyerje: Gjykata e detyroi për kompensim jomaterial

09/30/2026 14:05
nga:L J

Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me padinë e tij ndaj Kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka deklaruar se gjykata e ka aprovuar padinë e tij dhe e ka detyruar Pecin që ta kompensojë për dëmin jomaterial, të cilin ai e lidh me deklaratat e bëra ndaj tij në rrjetet sociale dhe në disa emisione televizive gjatë nëntorit të vitit 2024.

“Për mua, ky rast nuk ka qenë dhe nuk është çështje parash. Është çështje e së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për fjalën publike”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka theksuar se kritika është pjesë e jetës publike, por sipas tij dallon kur ato janë shpifje e fyerje.

Postimi i plotë:

Sot mora aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin tim kundër Faton Pecit.

Gjykata ka aprovuar padinë time dhe e ka detyruar z. Peci që, për deklaratat e bëra ndaj meje në rrjete sociale dhe në disa emisione televizive në nëntor të vitit 2024, të më kompensojë dëmin jomaterial të shkaktuar nga shpifja dhe fyerja.

Për mua, ky rast nuk ka qenë dhe nuk është çështje parash. Është çështje e së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për fjalën publike.

Kritika është pjesë e jetës publike dhe duhet pranuar. Por shpifja dhe fyerja janë diçka tjetër. Askush, pavarësisht pozitës apo funksionit që mban, nuk duhet ta konsiderojë hapësirën publike si licencë për të cenuar reputacionin dhe dinjitetin e tjetrit.

Unë zgjodha që ndaj këtyre deklaratave të përgjigjem përmes institucioneve dhe rrugës ligjore. Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë dha vendimin e saj.

Do të vazhdoj të mbroj emrin dhe dinjitetin tim me fakte dhe përmes institucioneve të Republikës së Kosovës./Gazeta Blic