Lajme

Pacolli: Dorëzuam tri lëndë në Prokurori për hetim mbi dyshimet për shpronësim dhe tjetërsim të kundërligjshëm të pronës publike

08/05/2026 16:38
nga:L J

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se janë dorëzuar tri lëndë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, duke kërkuar hetim për dyshime mbi shpronësimin dhe tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli tha se qëllimi i dorëzimit të këtyre lëndëve është zbardhja e dyshimeve për keqpërdorimin e pronës publike, raporton Gazeta Blic.

“Mbrojtja e pronës publike është obligim i institucioneve dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Askush nuk mund të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme në dëm të interesit publik”, ka shkruar ajo.

Pacolli theksoi se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për mbrojtjen e pronës publike dhe për të kërkuar llogaridhënie për çdo dyshim mbi keqpërdorimin e saj.

Ajo nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me tri lëndët e dorëzuara apo rastet konkrete që janë referuar për hetim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.