Drejtori i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për ankesat e pacientëve në sektorin publik dhe atë privat.
Ai tregon se në vazhdimësi pranojnë ankesa të ndryshme, për mungesë të komunikimit të stafit me pacientët, gabime mjekësore, gabime profesionale dhe për mungesë të barnave.
“Në vazhdimësi pranojmë ankesa nga pacientët, për gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor dhe në gjitha institucionet, private dhe publike, natyra e ankesave dallon nga niveli i institucionit. Në spitale i kemi për mungesë të komunikimit të stafit me pacientët, kemi për gabime mjekësore, gabime profesionale ka për mungese të barnave dhe shërbimeve, si dhe referim për në institucionet private”, tha Kodra për Gazeta Blic.
Ai shton se duhet të krijohet një rregullativë ligjore që ankesat të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, të saktë dhe të shpejtë.
“Duhet të krijohet një rregullativë ligjore, ku pacienti bën ankesa të trajtohet në mënyrë të dinjitetshme. Nëse këto ankesa nuk trajtohen në mënyrë të shpejtë dhe të saktë, atëherë padyshim pacientët gjejnë forma tjera të zgjidhjes”, deklaroi ai për Gazeta Blic.
Kodra tutje thotë se ankesat janë të ndryshme dhe nuk janë të rralla, duke shtuar se ankesat që vijnë nga spitalet private janë të natyrave të rënda.
“Ka ankesa nga spitalet private dhe nuk janë të rralla, çka është karaktistikë e ankesave, është se kur vijnë janë të natyrave të rënda, për shkak se një pjesë e ankesave, spitalet private nuk i lejojnë me dalë jashtë, kryesisht i zgjidhin brenda, me qëllim të ruajtjes së imazhit”, tha ai për Gazeta Blic.
Po ashtu, ai përmend dhe një rast të një pacientit, për të cilin tregon se i është harruar një tel në trup, të cilin pacienti e ka bartur disa vite me radhë, padyshim se i ka shkaktuar një dëm në shëndetin e tij.