Më 30 tetor 2025, Haki Sala u shtrua në QSUNT në pavijonin e urologjisë për një ndërhyrje të planifikuar.
Gjithçka shkoi sipas protokollit. Operacioni u realizua me sukses dhe i vendosën kateterin e parë që më pas u hoq normalisht.
Më pas iu vendos kateteri i dytë dhe pak momente më vonë, kur Vera Sala, gruaja e tij, zbriti për të blerë diçka, Haki Sala zhduket nga dhoma e spitalit.
Vera tregon me shqetësim në emisionin “Stop” në Tv Klan se askush nuk e kishte parë të shoqin, as në spital, as rrugës, as në shtëpi.
Policia e Komisariatit 4 erdhi vetëm pas pesë orësh, por pa bërë asgjë konkrete.
As kamerat nuk u hapën menjëherë. Mjeku specialist që e kishte operuar Hakiun konfirmoi se pacienti nuk kishte asnjë sëmundje mendore.
Në përpjekje për të gjetur Hakiun, Vera kontaktoi policinë.
Shefi i Komisariatit 4 konfirmoi se kishte nisur kërkimi, ishin afishuar fotografitë e Hakiut në të gjithë Shqipërinë, por deri më sot nuk ka pasur asnjë informacion.


