Lajme

Paçarizi: Urimi i Kurtit për Talat Xhaferin, përpjeke për relativizim të asaj që ka ndodhur

01/30/2024 22:56
nga:G B

Urimi i kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër të Maqedonisë së Veriut, nuk i ka pëlqyer opinionistit Rrahman Paçarizi.

Në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ai ka thënë se Kurti, në secilën fjali të urimit të tij drejtuar Xhaferit, ka tentuar ta relativizojë këtë që ka ndodhur.

“Urimi i kryeministri Albin Kurti është një përpjekje e skajshme për të relativizuar atë që ka ndodhur. Kurti është shumë finok, shumë i shkathtë te përçuarja e mesazhit. Ai e nis me ish-kryetari i Kuvendit, pra dikujt që është tash kryeministër, i thotë ish-kryetar i Kuvendit. Në vend se të thoshte, Talat Xhaferit ia uroj zgjedhjen në postin e kryeministrit. Kjo tregon përpjekje për relativizim të asaj që ka ndodhë. Tjetra, thotë, ‘qeveri teknike që ka për detyrë ta çojë vendin në zgjedhje’, pra dëshiron ta relativizojë në tërësi rolin që mund ta ketë gjatë këtyre tre muajve kjo qeveri. Nuk e përmend askund kryeministri i parë shqiptar, sepse i pari është veç Albini. Dhe në fund thotë se shpresojmë për bashkëpunim me qeverinë që do ta udhëheqë Xhaferi, ashtu siç e kishim me Kovaçevskin. Pra, relativizim i skajshëm në secilën fjali që e ka përdorë në këtë tekst”, tha Paçarizi.