Lajme

Paçarizi: Kurti i ka mobilizuar forcat ekstremiste serbe në Maqedoninë e Veriut

04/25/2024 22:43
nga:G B

Profesori universitar Rrahman Paçarizi, ka thënë në Rubikon të Klan Kosovës se përfshirja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, i ka mobilizuar forcat ekstremiste pro-serbe.

“Mua nuk po më intereson a u mund Kurti apo fitoj Kurti, mua po më intereson ta di sa ka arritur ta mobilizojë një parti pro serbe tashmë, VMRO-në anti-evropiane. Ka mbërritur ta mobilizojë sa t’i fitojë 40 përqind në këto zgjedhje. Janë zgjedhje presidenciale, por janë test sepse zgjedhjet do të jenë tani”, tha Paçarizi në Klan Kosova.

Të mërkurën, në Maqedoninë e Veriut u zhvillua rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale.

Në anën shqiptare, garuan Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” dhe Arben Taravari nga koalicioni “VLEN”.

Kurti me këtë rast i ka dhënë mbështetje këtij të fundit.

Në nivel vendi Osmani, ka arritur që t’i marrë 13.38 përqind të votave kurse Taravari 9.21 përqind.

Por, kjo e pamjaftueshme që ndonjë kandidat shqiptar të kalojë në raundin e dytë.

Gara më 8 maj do të zhvillohet në mes të Gordana Siljanovska Davkovës së VMRO-DPMNE-së e cila ka marrë 40.23 përqind të votave dhe presidentit aktual, Stevo Pendarovski, nga LSDM-ja që ka arritur t’i marrë 19.97 përqind.