Analisti Rrahman Paçarizi ka thënë se nga takimi i sotëm mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk pritet të ketë ndonjë marrëveshje vendimtare, pasi që nuk ka prani të ndonjë lideri perëndimor.
“Formati i takimit nuk garanton ndonjë format spektakolar, pasi që deri në momentin e fundit kemi pritur që këtij takimi t’i bashkohen edhe zyrtarë të lartë, mundësisht kryeministrat e Gjermanisë e Francës dhe eventualisht sekretari Blinken apo ndonjë përfaqësues tjetër i lartë amerikan, mirëpo takimi vetëm me Borrellin e Lajçakun, vështirë se mund të sigurojë diçka tjetër”, tha Paçarizi në mbulimin special të Klan Kosova, lidhur me këtë takim.
Paçarizi tutje tha se ka rrezik që në takimin e sotëm, në fokus të jenë modalitetet për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Ka rrezik që takimi i sotëm të jetë i përqendruar tek modalitetet vetëm për Asociacionin, për dinamikat, për grupet punuese që mund të bëhen, dhe pastaj të caktohet një kohë tjetër për një takim të një formati më të lartë, i cili do të mund të siguronte më shumë sesa zotimet gojore, të cilat palët i kanë bërë”, u shpreh Paçarizi.


