Lajme

“Pa njohje s’ka kuptim dialogu”, deputeti i VV-së tregon si të bindet Serbia për njohjen e Kosovës

07/06/2022 20:30
nga:G B

Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë të përfshijë njohjen e ndërsjellë në mes të dyja vendeve, raporton Gazeta Blic.

Por, pavarësisht kësaj thirrje, nga Serbia nuk heqin dorë nga qëndrimi kundër.

Presidenti Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe se nuk do ta njohin Kosovën si shtet.

“Nuk na shkon mendja. Nuk do ta marrim parasysh”, ka thënë ai, derisa tha se nuk mund të mendojë përgjigje “më të sjellshme”.

Lidhur me këtë, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha, njëherësh anëtar i Komisionit për Integrime, thotë për Gazeta Blic se pa njohjen si pikë qendrore të dialogut, nuk ka kuptim dialogu dhe këtë e mbështeti edhe sot Parlamenti Evropian.

“Njoha si pjesë qendrore e dialogut është parakusht për një dialog të suksesshëm. Pa njohjen e ndërsjellë si pikë qendrore e dialogut, nuk do të ketë kuptim me as vetë dialogu. Shtete që po e përkrahin këtë parim janë gjithnjë e në rritje. Sot, Parlamenti Evropian mbështeti një parim të tillë të dialogut”, thotë Batusha.

Deputeti potencon se Serbisë për këtë po i vijnë vazhdimisht mesazhe diplomatike dhe e ka të qartë.

“Serbia e ka të qartë, por edhe çdo ditë po i vijnë mesazhe diplomatike e politike që pa njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës e Serbisë, rruga evropiane e saj është e pamundur”, thekson ai për Gazeta Blic.

Batusha mendon se mënyra e vetme për ta bindur Serbinë që të ndryshojë qasje në raport me Kosovën, është unifikimi i qëndrimeve dhe mesazhe me SHBA-të dhe shtete të fuqishme evropiane.

“Mendoj që është momenti ideal që shtetet evropiane të unifikohen në qëndrimet e tyre karshi Serbisë dhe në raport me realitetin e Kosovës së pavarur. Hapa pozitiv po shohim çdo ditë dhe për shumë të tjerë do të jemi dëshmitarë javëve e muajve në vijim. Por, e vetmja mënyrë për të bindur Serbinë që të braktisur këtë qasje destruktive në rajon dhe në veçanti në raport me Republikën e Kosovës, është unifikimi i qëndrimeve dhe mesazhe të qarta diplomatike të shteteve të fuqishme evropiane, e pashmangshmërisht edhe të SHBA-ve”, deklaron Agon Batusha./Gazeta Blic/