Nëse Kosova dhe Serbia nuk e nënshkruajnë aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, nuk do të mund të bëjnë asnjë hap në atë drejtim, vlerësojnë për RFE analistët politikë Agon Maliqi dhe Aleksandar Popov, përcjellë GazetaBlic.
Nëse nuk ka nënshkrim, besojnë këta analistë, nuk do të ketë as zbatim.
Megjithatë, nuk presin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ta nënshkruajnë marrëveshjen në Ohër.
Maliqi dhe Popov, nga ana tjetër, theksojnë se nënshkrimi i planit të zbatimit nuk mund të shmanget sepse pala që tenton të pengojë do të përballet me pasoja.
“Mendoj se ndërmjetësit kanë një lloj skeme shpërblimesh dhe ndëshkimesh për palët që i konsiderojnë konstruktive ose jo në këtë proces”, thotë Maliqi.
Drejtori i Qendrës për Rajonalizim në Novi Sad, Aleksandar Popov, beson se vendet perëndimore po përpiqen t’i zgjidhin sa më shpejt marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Ai vëren se BE-ja dhe SHBA-ja e kuptuan se diçka e tillë kërkon pak më shumë kohë që të dy liderët të përgatisin publikun. Në këtë kontekst, ai shton se plani i zbatimit të propozimit të BE-së mund të nënshkruhet në mesin e vitit.
“As BE-ja dhe as SHBA-ja nuk duhet të lejojnë që të cenohet besueshmëria e tyre morale dhe politike pas kaq shumë përpjekjesh duke lënë të përfundojë e gjithë historia pa një rezultat konkret. Ata kanë leva me të cilat mund të detyrojnë të dyja palët dhe mendoj se do t’i përdorin kur vjen koha. Nëse ka problem, do t’i detyrojmë të bashkëpunojnë”, thotë Popov.