Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së) ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, duke i bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje që t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve.
Përmes një postimi në Facebook, OVL e UÇK-së shprehu kundërshtimin e saj ndaj, siç u shpreh, “çdo përpjekjeje për ta mbajtur Kosovën peng të llogarive partiake të Albin Kurtit”.
Sipas OVL-së, pas zgjedhjeve, Kuvendi ende nuk funksionon, ndërsa vendi mbetet pa qeveri me mandat të plotë. Organizata vlerëson se kjo “nuk është strategji”, por “është sulm ndaj rendit institucional dhe ndaj vetë sigurisë së shtetit”, raporton Gazeta Blic.
Në reagim thuhet se përgjegjësinë kryesore për këtë situatë e mban Albin Kurti. Sipas OVL-së, refuzimi i tij për ta vënë interesin kombëtar mbi pushtetin partiak “e thellon paqëndrueshmërinë dhe dëmton lidhjet me aleatët tanë strategjikë, mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
OVL e UÇK-së shton se veteranët tashmë mbajnë mbi supe barra të rënda administrative dhe ligjore, ndërsa Kosovës, sipas saj, i duhen institucione që funksionojnë sa më parë.
Në fund, organizata i bën thirrje Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që “të ndërpresin lojërat me fatin e vendit, t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos e mbajnë Kosovën peng të agjendave personale”, duke shtuar se Kosova “nuk ka kohë për të humbur e as luks për të pësuar dëme të mëtejshme diplomatike e ekonomike”.


