Lajme

OVL e UÇK-së: Aktakuza ndaj Shehollit të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare

08/26/2026 15:46
nga:L J

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet vetëm si çështje e përgjegjësisë individuale, por edhe si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës, raporton GazetaBlic.

OVL e UÇK-së ka theksuar se respekton prezumimin e pafajësisë dhe se fajësia mund të vërtetohet vetëm përmes një procesi gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent.

Megjithatë, sipas tyre, akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, kërkojnë nga institucionet që të hetojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme.

“Respektojmë prezumimin e pafajësisë; fajësia vërtetohet vetëm përmes procesit gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent. Por akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së ka kërkuar që, nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato të shpërbëhen.

“Institucionet duhet të vërtetojnë gjithashtu nëse shërbimet inteligjente armike kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale për luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së. Kjo nuk e barazon aktakuzën ndaj Shehollit me proceset pranë Dhomave të Specializuara; kjo kërkon qartësi mbi origjinën, përcjelljen, kontekstin dhe përdorimin e materialeve që mund të sjellin pasoja politike, institucionale apo gjyqësore”, thuhet tutje.

Sipas OVL-së së UÇK-së, institucionet e drejtësisë dhe sigurisë duhet të ndjekin provat “kudo që të çojnë”.

“Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt”, përfundon reagimi.