Lajme

Osmani: Vendimi i Kushtetueses s’lejon Asociacion njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive

10/07/2022 17:02
nga:Y I

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  ka folur për kërkesën ndërkombëtare që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe.

Osmani ka thënë se për një çështje të tillë ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe se ai vendim s’lejon Aosicaione njëetnike dhe që kanë kompetenca ekzekutive.

Radio Evropa e Lirë: Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kërkojnë Kosovës formimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe. A do ta formoni?

Vjosa Osmani: Partnerët ndërkombëtarë, natyrisht, që si parim të përgjithshëm e kanë që çfarëdo që është nënshkruar në Bruksel të zbatohet dhe ju e dini që në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje, por në vitin 2015 ka pasur një marrëveshje dedikuar në mënyrë të veçantë Asociacionit të komunave serbe. Kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe aty është e qartë që diku 23 nene të Kushtetutës sonë janë shkelur me atë që është dakorduar në Bruksel.

Prandaj, si udhëheqës të Republikës së Kosovës ne i obligohemi Kushtetutës sonë.

Radio Evropa e Lirë: A po ndërmerrni hapa të veproni në bazë të kërkesave të Kushtetueses?

Vjosa Osmani: Gjykata Kushtetuese ka treguar qartë që nuk mund të ketë Asociacion të komunave që krijon një entitet njëetnik, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive dhe nuk mund të ketë Asociacion, i cili krijon një shtresë të re apo të ndërmjetme të qeverisjes ndërmjet komunave dhe nivelit qendror, sepse të gjitha këto do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Prandaj, pak a shumë, e ka trasuar rrugën përpara. Gjykata lejon që të formohen asociacione pa kompetenca ekzekutive, që nuk janë njëetnike. Pra, janë bashkim komunash që bashkohen për çështje të caktuara ose agjenda të caktuara dhe lobojnë për to tek institucionet qendrore.

Radio Evropa e Lirë: A po punoni ju që këtë marrëveshje t’ua përshtatni kërkesave të Gjykatës Kushtetuese?

Vjosa Osmani: Ajo çfarë kërkon Gjykata Kushtetuese tashmë ekziston në Ligjin e Kosovës për vetëqeverisje lokale, pra nuk është që Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë hap.

Radio Evropa e Lirë: Pse nuk formohet Asociacioni, atëherë?

Vjosa Osmani: Sepse vetë komunat nuk po e ndërmarrin një iniciativë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Ju e mbështesni formimin e Asociacionit?

Vjosa Osmani: Unë mbështes çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ.

Atë të drejtë e kanë me Ligjin për vetëqeverisje lokale, i cili ekziston qysh nga themelimi i Republikës së Kosovës, pra është një prej ligjeve që buron nga Pakoja e Ahtisaarit. Atë të drejtë e kanë, atë që ua jep Gjykata Kushtetuese, atë tashmë e kanë. Pra, nuk kërkohen hapa shtesë nga Republika e Kosovës, sepse ata hapa tashmë janë ndërmarrë dhe janë përligjur. Janë pjesë e ligjeve aktuale në Republikën e Kosovës.

Në qoftë se dikush dëshiron që t’i bashkojë komunat rreth agjendave të caktuara për të shtyrë përpara interesa, për të lobuar për ato interesa ashtu siç është edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, pra e regjistruar si një OJQ, ato gjëra nuk iu ndalohen.

Por, në qoftë se dikush kërkon kompetenca ekzekutive, kërkon që të shkojë përtej Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, natyrisht që gjëra të tilla nuk lejohen dhe ne nuk mund të shkojmë përtej Kushtetutës sonë.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të kësaj që thoni, nuk ka asnjë pengesë për formimin e Asociacionit?

Vjosa Osmani: Ligji për vetëqeverisje lokale parasheh që komunat mund të bashkohen në OJQ për të shtyrë përpara, për të lobuar për interesa të caktuara, por pa kompetenca ekzekutive. Pra, ligji ekziston dhe atë ligj nuk e kemi miratuar ne. Ai ligj ka ekzistuar për shumë vite me radhë dhe i parasheh pikërisht ato që i ka potencuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese.