Lajme

Osmani takon Metsolan, e informon për lidhjet e qarta të Serbisë me sulmet në veri

12/04/2024 18:28
nga:Sh R

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në Bruksel të mërkurën, është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Siç thuhet në njoftimin e Presidencës, Osmani rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për një partneritet të ngushtë me Parlamentin Evropian, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për përparimin e integrimit të Kosovës në BE.

Gjatë bisedës, thuhet se Osmani e informoi presidenten Metsola për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës.

Ajo ka theksuar lidhjet e qarta të Serbisë me këto sulme, duke përfshirë edhe aktin e agresionit të vitit të kaluar në Banjskë për të cilin ende nuk ka llogaridhënie.

Presidentja gjithashtu ka potencuar se është thelbësore që autorët e këtyre krimeve të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë.

Ajo ka riafirmuarpërkushtimin e Kosovës për të arritur objektivat e saj të integrimit evropian dhe kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE, si dhe largimin e masave, të cilat më së shumti po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës.