Lajme

Osmani takoi ministrin Fayot nga Luksemburgu, diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve

04/04/2022 15:44
nga:Q R

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luksemburgut, Franz Fayot.

Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin mes Kosovës me Luksemburgun si një nga kontribuuesit kryesor në projekte zhvillimore e të cilat janë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Osmani u falënderua për angazhimin e Luksemburgut për kontributin e pashoq në fushën e shëndetësisë ndër vite, si dhe në fushën e arsimit.

Ministri Fayot vlerësoi progresin e gjithmbarshëm në Kosovë, duke theksuar në veçanti angazhimin për luftim të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor, dhe diskutuan potencialin për investim në fushën e digjitalizimit, energjisë, si dhe në drejtim të mbledhjes dhe gjenerimit të të dhënave si parakusht për politikbërje më efektive”, thuhet në komunikatë.