Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ende nuk e ka nënshkruar dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve, raporton GazetaBlic.
Sipas tij, presidentja është në pritje të një qëndrimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Kupina theksoi se nëse kjo gjykatë vlerëson të nevojshme vendosjen e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke shtuar se një masë e tillë nuk paragjykon vendimin përfundimtar për kushtetutshmërinë e dekretit.
“Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse, siç i ka njoftuar edhe partitë në takimin konsultativ, ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha Kupina.


