Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për Kiks Kosova në Klan Kosova, ka kujtuar momentet e vështira që familja e saj ka përjetuar gjatë viteve të ’90-ta.
Ajo ka treguar se babai i saj, Raif Osmani, ishte i pari në gjithë Mitrovicën që u dëbua nga puna nga forcat serbe.
Që në mars të vitit 1989, sipas saj, babai kishte kërkuar zëshëm shpalljen e Kosovës Republikë, ndërsa më pas nga puna u largua edhe nëna e saj.
E para e shtetit i ka përshkruar vitet e ’90-ta si periudha jashtëzakonisht të rënda mbijetese, duke folur për maltretimet dhe burgosjen që regjimi i Millosheviqit ia bëri babait të saj.
Si pasojë e rrezikut në të cilin tregon se ndodhej babai i saj, e rrezikuar ishte edhe e gjithë familja.
Presidentja ka përmendur gjithashtu angazhimin e babait të saj me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në atë që ajo e quan “celulat e para të rezistencës”.
E pikërisht këto përvoja, sipas Osmanit, e kanë bërë që angazhimi i saj politik të jetë gjëja më e natyrshme për të.
Ndiqeni rrëfimin e saj më poshtë:


