Bujar Osmani, kandidat për president nga BDI për Maqedoninë Veriore i ka reaguar kundërkandidatit nga opozita shqiptare, Arben Taravari, pas akuzave lidhur me raportin e OSBE-së për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës të hartuar kur Maqedonia Veriore ishte kryesuese.
Osmani ka thënë se Taravari nuk ka njohuri se si është hartuar plani nëntëpikësh nga kryesuesit e OSBE-së për deesklaimin e situatës në veri, pasi sipas tij nuk do të futej në “lojëra elektorale”.
“Po ta dinte Arben Taravari se si është sintetizuar, përgatitur dhe miraturar plani nëntëpikësh i Kryesuesit të OSBE-së për deeskalim në veri dhe rolin e këtij plani për të parandaluar zgjidhje teritoriale për çështjet etnike në Kosovë, do mendonte dy herë para se të involvohet në lojëra elektorale që nuk i njeh dhe që mund ta dëmtojnë shumë interesin e Kosovës! Kosova është çliruar me rezistencë dhe përpjekje të koordinuara. Dhe, liria dhe pavarësia e Kosovës mund të mbrohet vetëm me veprime të koordinuara”, ka shkruar ai.
Taravari ka hedhur akuza në drejtim të Osmanit, duke thënë se në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së i ka bërë argatin Serbisë.
Ky debat është nxitur pas deklarimeve të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Bujar Osmani, është ai që ka hartuar planin 9 pikësh të OSBE-së për deeskalimin e situatës në veri. Kryeziu është shprehur se ky është një rast tjetër kur “shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë”.