Më 26 dhjetor, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani do të zhvillojë pritjen e fundvitit për mërgatën. Presidenca thotë se kjo pritje do të organizohet në shenjë falënderimi për kontributin e tyre për Kosovën.
Ftesën për këtë pritje e ka bërë publike këshilltarja e presidentes Osmani, Donika Kadaj Bujupi.
“Në emër të Shkëlqesisë së Saj, presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kemi nderin t’ju ftojmë në pritjen tradicionale të fundvitit me mërgatën, në shenjë falënderimi e mirënjohjeje për kontributin e mërgatës sonë e cila mbetet gjithmonë e lidhur ngushtë me Kosovën”, thuhet ndër të tjera në këtë ftesë.
Presidenca thotë se mbrëmja i kushtohet rolit të mërgatës për liri e shtetndërtim.
“Pjesëmarrja juaj do të nderojë këtë mbrëmje të dedikuar rolit të pazëvendësueshëm të mërgatës sonë në lirinë, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera aty, derisa të interesuarve u është bërë lutje që pjesëmarrjen ta konfirmojnë më së largu deri më 24 dhjetor, dy ditë para se të ndodhë pritja presidenciale për mërgatën.


