Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka vleruar se Kosova është dashur të jetë e pranishme në samitin e Ohrit lidhur me ‘Ballkanin e Hapur’ për shkak se ka thënë ai, kjo do të ishte mundësi që në të të artikulonte qëndrimet e veta lidhur me çështjet me interes për të:
‘Aty janë përfaqësues amerikanë, aty janë përfaqësues evropianë. Aty janë mediat. Duhet t’ju jepni mesazhin. Aty janë liderët e rajonit. Mirëpo, nuk dua të jem gjykues ndaj politikës së Kosovës. Është shtet sovran, ka qeveri të zgjedhur nga populli në zgjedhje legjitime dhe ne mund të japim vetëm qëndrimet tona, mirëpo në asnjë mënyrë të gjykoj për vendimet e Kosovës,’ – transmeton KDP deklaratën e Osmanit në emisionin ‘Click plus’ të TV21.
Njëherësh ai shfaqi bindjen se nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk i dëmton interesat e Kosovës:
‘Nëse e shohim një element se po i bëhet dëm Kosovës, ja unë po e marr përgjegjësinë, po them në emër të Qeverisë, se Maqedonia nuk do të jetë pjesë e iniciativës. Ne do të jemi gardian i interesit të Kosovës nëse shohim se ka një dëm për Kosovën, për pavarësinë e saj, për njohjen e ndërsjellë, për rrumbullakësimin e shtetformësisë. Ne jemi gardian të Kosovës. Çfarë duhet tjetër të themi? Ja, po flas edhe në emër të BDI-së, po flas edhe në emër të Qeverisë, ne nuk do të rrimë asnjë minutë në atë iniciativë’.