Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka theksuar se ajo përulet para të gjithë veteranëve, të cilët atdheun e kanë mbi të gjitha.
“Sot nderojmë të gjithë ata veteranë, të cilët nuk hezituan, por rezistuan, nuk ngurruan, por luftuan dhe nuk u zmbrapsën, por i dhanë shtytje lirisë sonë”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Fundviti përkon edhe me Ditën e Veteranit të UÇK-së, e cila i dedikohet njerëzve që patën guximin që në momentet më të vështira, atdheut t`i bëhen mbrojtës, por edhe të jenë lajmëtarë të lirisë. Sot nderojmë të gjithë ata veteranë, të cilët nuk hezituan, por rezistuan, nuk ngurruan, por luftuan dhe nuk u zmbrapsën, por i dhanë shtytje lirisë sonë. Kjo datë bie në të njëjtën ditë kur 3 dekada më parë, më 30 dhjetor 1991, komandanti legjendar Adem Jashari me familje nisi rezistencën në një përballje direkte me forcat e regjimit gjenocidal serb, duke shënuar kësisoj fillet e rezistencës ushtarake të ushtrisë, së cilës i priu deri në rënien e tij bashkë me familje.
Përulem para të gjithë atyre veteranëve, të cilët atëherë e sot, atdheun e kanë mbi të gjitha!


