Lajme

Osmani përkujton masakrën në Likoshan dhe Qirez të Drenicës

02/28/2024 11:49
nga:N K

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar 26 vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit në Drenicë, shkruan teve1.info.

Sipas Osmanit, më 28 shkurt të vitit 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu mizori të papërshkrueshme, duke marrë jetën e 24 shqiptarëve të pafajshëm në Likoshan dhe Qirez të Drenicës.

“Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu mizori të papërshkrueshme, duke marrë jetën e 24 shqiptarëve të pafajshëm në Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Kjo ditë tragjike është një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë nga regjimi kriminal i Serbisë në zemrën e rezistencës, në Drenicë. Përballë një tmerri të tillë, vendosmëria për të luftuar për çlirim vetëm sa u forcua. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së, sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit tonë. Në këtë 26 vjetor, nderojmë kujtimin e atyre që humbëm. Trashëgimia e tyre jeton në zemrat tona, ndërkaq sakrifica e tyre na nxit për të vazhduar kërkimin e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrat në Likoshan e Qirez”, thuhet tutje./teve1.info./