Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadorin William Walker.
Në një postim publik, Osmani theksoi se takimi u zhvillua si çdo vit, në prag të përvjetorit të Masakrës së Reçakut, duke vlerësuar rolin vendimtar të Walkerit në mbrojtjen e së vërtetës në një nga periudhat më të errëta për Kosovën.
“Ai është njeriu që e tha dhe e mbrojti të vërtetën kur Kosova po përjetonte orët më të errëta. Zëri i tij e ktheu dhimbjen tonë në thirrje për drejtësi”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka shtuar se mirënjohja ndaj Walkerit është e përjetshme, njësoj si obligimi institucional dhe moral që e vërteta e Masakrës së Reçakut të mos harrohet kurrë.


