Lajme

Osmani për masakrën e Gollakut: Krimi nuk vjetrohet, drejtësia duhet të vendoset!

04/19/2024 18:33
nga:Y I

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kujtoi përvjetorin e masakrave në rajonin e Gollakut, ku forcat serbe vranë 115 civilë shqiptarë, fëmijë, gra e të moshuar.

“Gjatë periudhës 19-23 prill 1999, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe vranë barbarisht shumë civilë të pafajshëm prej 7 e deri në 98 vjeç në rajonin e Gollakut. Më 21 prill 1999 në fshatin Makoc të Gollakut, u torturuan dhe u vranë në mënyrë makabre 115 civil të moshave të ndryshme. Ende sot, pas 25 vjetësh, drejtësia për jetët e pafajshme nuk është vënë në vend dhe autorët nuk e kanë marrë dënimin e merituar”, ka shkruar Osmani.

Osmani në mesazhin përkujtimor tha se krimi nuk vjetërohet, ndaj drejtësia duhet të vendoset patjetër.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, ka shkruar Osmani.