Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.
Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.
Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut.