Lajme

Osmani: Nimani ishte intelektual i jashtëzakonshëm, frymëzoi studentë të panumërt

06/22/2023 14:54
nga:Y I

Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.

Osmani në telegramin e saj të ngushëllimit tha se Nimani ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt.

“Fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të”, ka thënë Osmani.

“Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave”, ka shtuar ajo.

Tutje, ajo ka thënë se veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës.