Lajme

Osmani nënshkruan amendament të marrëveshjes me SHBA-të, Kosova përfiton tre milion dollarë shtesë

09/29/2021 13:31
nga:M K

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, kanë nënshkruar sot amendamentin tre të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin Republika e Kosovës përfiton edhe 3 milion dollarë shtesë, duke rritur grantin total në mbi 41 milionë dollarë.

“Me këtë marrëveshje synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

Gjithashtu, me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës” thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidentes.

Kjo marrëveshje fillimisht ishte nënshkruar nga Presidentja Osmani në nëntor të vitit 2020, me të cilën Kosova ka përfituar 33 milionë dollarë nga USAID-i.

Teksa në maj të këtij viti, u nënshkrua amendamenti 1 i marrëveshjes, i cili i siguron Kosovës një shtesë të mjeteve financiare në shumën prej 1.6 milion dollarë amerikan.

“Përmes amendamentit 2 të kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfitoi edhe 3.8 milion dollarë shtesë, kurse sot është nënshkruar edhe amendamenti i tretë i marrëveshjes, përmes së cilit Republika e Kosovës përfiton edhe 3 milion dollarë. Në total, përmes kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfitoi mbi 41 milionë dollarë amerikan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.