Lajme

Osmani në Turqi: Përshpejtimi i anëtarësimit tonë në NATO është i nevojshëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin

03/01/2022 13:21
nga:N M

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Ankara është pritur nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop.

Në këtë takim, marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve u vlerësuan të mira dhe me avancim të vazhdueshëm. Sipas Presidentes, këto marrëdhënie janë shumëdimensionale dhe forcohen nga bashkëpunimi me Turqinë në shumë sfera, duke e llogaritur këtë vend si një partner në shumë procese.

Ajo vlerësoi lart rolin që Turqia ka luajtur në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit në Kosovë. Presidentja Osmani ka kërkuar që në kuadër të diplomacisë parlamentare, Turqia të jetë zë i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në të cilat ky shtet është i përfaqësuar dhe ta shtyjë përpara procesin e anëtarësimit të Kosovës në këto organizata.

“Përshpejtimi i anëtarësimit tonë në NATO është i nevojshëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor’’, është shprehur Presidentja Osmani, duke potencuar se edhe diplomacia parlamentare mund të shtyjë përpara anëtarësimin e Kosovës në organizata, si NATO dhe Këshill të Evropës, tha ajo.

Ndërkaq për procesin e dialogut me Serbinë, Osmani ka theksuar se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke dhe se Serbia deri tani ka dëshmuar se është bllokuese në këtë process, duke mos implementuar një sërë marrëveshjesh të nënshkruara.

Pjesë e delegacionit të presidentes në takim me kryetarin Şentop ishte edhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, Komandanti i FSK-së Bashkim Jashari dhe kryetari i grupit të Miqësisë të Kuvendit të Kosovës për Kosovë-Turqi, Enis Kervan.