Lajme

Osmani: Ne po i rrënojmë monopolet etnike në vend

01/29/2024 22:37
nga:G B

“Ne po i rrënojmë monopolet etnike në vend”, thotë ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.

I ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Osmani thotë se narrativi, titulli i fushatës së BDI-së ka qenë koha për kryeministrin e parë shqiptar.

“Të gjithë ishin skeptikë, askush nuk e besonte, mendonin se ishte truk elektoral, pastaj marrëveshja për formimin e Qeverisë, një prej pikave ishte edhe kryeministri i parë shqiptar. Edhe nëse ka pasur ekzaltime të tepruara që janë të natyrshme, nuk është punë e lehtë që të jesh kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut e të mos ekzaltohesh. Çdo familje është ndier zot në shtëpinë e vet”, shtoi ai.

Zgjedhjen e Talat Xhaferit, si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, e quan të jashtëzakonshme e të shumëpritur.

Kjo për shkak se, sipas tij, shqiptarët kane qenë popull i përjashtuar e i nënçmuar në Maqedoninë e Veriut.

Ai thotë se pas pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, në këtë shekull, 28 janarin e konsideron si ditën më të rëndësishme në rajon.

Madje thotë se 28 janari është një 28 nëntor i ri.