Lajme

Osmani: Në Ditën e Çlirimit, nderuam figurat emblematike që kontribuan në lirinë e Kosovës

06/12/2022 12:34
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në ditën e çlirimit të vendit, nderuan figurat emblematike që kontribuan për lirinë e Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka ndarë fotografi nga homazhet te varri i presidentit Rugova, veprimtarit Adem Demaçi, homazhet në Prekaz dhe nderimi i trupave të NATO-s.

Postimi i saj i plotë në Facebook:

Në shënimin e 12 qershorit, ditës kur Kosova u çlirua e erdhi paqja, nderuam figurat emblematike që kontribuan për lirinë tonë.

Presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë sonë, ishte njeriu që mbajti gjallë shpresën për liri e ndërtoi miqësi e aleanca që edhe sot i duhen Kosovës.

Ishim po ashtu në Prekaz sepse liria jonë i ka rrënjët aty. Ndaj nderuam sakirificën e komandantit legjendar Adem Jashari me familjen e tij, si dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së të cilët i dhanë vulë lirisë sonë.

Sot nderuam edhe simbolin e vetëmohimit, veprimtarin Adem Demaçi, i cili një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare.

Për lirinë tonë kontribut të çmuar dhanë edhe trupat e NATO-s, për të cilët populli i Kosovës do të jetë përherë falenderues. Prandaj vendosëm lule tek pllaka përkujtimore e ushtarëve të NATO-s, duke shprehur mirënjohjen tonë të përhershme.