Lajme

Osmani në Çikatovë: Institucionet t’i mbledhin provat dhe të fillojnë proceset gjyqësore për kryerësit e krimeve

04/17/2024 14:08
nga:Sh R

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të angazhohen më shumë në mbledhjen e provave të luftës në Kosovë, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë.

Këtë deklarim e para e shtetit e ka bërë pas homazheve në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, ku së bashku me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në përvjetorin e 25-të kësaj masakre.

“Unë ju falënderoj që erdhët edhe këtu në  Çikatovë, ku po ashtu ka ndodhur më 17 prill një prej masakrave më të renda në Kosovë. Edhe këtu Serbia gjenocidale e Millosheviqit ka vrarë gra e pleq, njerëz te pafajshëm të cilët thjeshte dëshironin të jetonin në liri. Edhe këtu sikurse në masakrën e Poklekut ka të mbijetuar, ka dëshmitarë të kësaj masakre, prandaj i bëj thirrje sërish nga këtu në 25-vjetorin e këtyre masakrave të tmerrshme të gjitha institucioneve ti marrin në pyetje dëshmitarët t’i marrin deklaratat e t’i mbledhin provat sepse ka kaluar kohë e gjate dhe është e domosdoshme që të ketë drejtësi dhe pas mbledhjes së provave të fillojnë proceset gjyqësore për të gjithë ata që kanë kryer krime”, u shpreh Osmani.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Glauk Koonjufca është shprehur se qëllimi i Serbisë ishte që përmes popullatës duke mos kursyer as fëmijë, pleq e gra të krijonte tmerr e frikë në popullin e Kosovës.

“Së bashku me Presidenten e vendit dhe kryetarin e Komunës, Lladrovci po i nderojmë të rënët, martirët e Çikatovës së Vjetër në 25 vjetorin e masakrave që i kreu Serbia okupatore në Kosovë. Qëllimi i Serbisë ishte që përmes popullatës duke mos kursyer as fëmijë, pleq e gra të krijonte tmerr e frikë në popullin e Kosovës, që ne ta lëshonim Kosovën e ata ta bënin Kosovën Serbe, ky ka qenë qëllimi i vërtetë”, tha Konjufca.